Sunday, August 18

Ermal Mamaqi prezantohet si i vetmi moderator që paguhet nga të ftuarit

Ermal Mamaqi prezantohet si i vetmi moderator që paguhet nga të ftuarit

Ermal Mamaqi është rikthyer mbrëmë me emisionin e tij “6 ditë pa Ermalin” në kanalin “T” në Digitalb. Të ftuarit e tij të parë për këtë sezon ishin Sokol Balla, Arbana Osmani dhe Besmir Bitraku. Por, më shumë sesa vetë emisioni, ka marrë shumë klikime spoti i realizuar me këtë rast. Nëpërmjet një klipi prezantues të ngjashëm me klipet që regjisorja Vera Grabocka realizon për VIP-at e “Dance with me”, Ermali sjell një maratonomak qesharak.

I veshur sportiv, ai vrapon në trafikun e ngarkuar të kryeqytetit, ku përballet me shumë peripeci, deri te fruta-perimet, që i hidhen mbi kokë. Bashkë me skenat komike, bëhet një portretizim plot humor i moderatorit, duke u cilësuar si shqiptari më i ndjekur në rrjetet sociale me gati 2 milionë ndjekës, pavarësisht se gjysmën e profileve i ka vetë.

Bashkë me superlativat ndaj tij ka një “mbase”, në rastin kur thuhet se ai është njeriu më i shëndetshëm mendërisht. Ndër të tjera thuhet se shiti 100 mijë bileta në kinema dhe nuk fitoi asnjë lek, dhe se sekreti i tij është se di të qeshë. “Ka marrë pjesë shtatë herë në ndarjen e çmimeve ‘Oscar’, por nëpërmjet televizorit. Femrat e duan, fëmijët duan të bëhen si ai, pleqtë thonë kur isha i ri isha si ai.

I vetmi artist që ia fut kot dhe përsëri pëlqehet. I vetmi që paguhet nga të ftuarit për ta ftuar në emision. Ka thyer çdo rekord ‘Guinness’, po nuk e ka parë asnjeri”. Pas disa batutave të tilla, spoti mbyllet me fjalinë: “E dimë që ju ka munguar për një kohë të gjatë, por tani do t’ju mungojë vetëm gjashtë ditë në javë, pasi ‘6 ditë pa Ermalin’ nis transmetimin në ekran”. Edicionin e kaluar programi i tij u popullarizua mjaft për faktin se pjesë e formatit të tij u bënë shumë personazhe të njohura të politikës, ekranit dhe muzikës.