Sunday, August 18

Greta Koçi: Pse këndoj në dialektin kosovar

Greta Koçi: Pse këndoj në dialektin kosovar

Ajo është rikthyer fuqishëm në muzikë, vetëm disa ditë më parë. Është fjala për këngëtaren, Greta Koçi. Së fundmi, pas një shkëputje nga skena muzikore për shkak të angazhimeve në politikë, ajo vjen me “Mas miri” në bashkëpunim me reperin nga Kosova, Gold AG. Në këtë intervistë, ajo rrëfen si lindi bashkëpunimi me Gold Ag, por nuk stepet të tregojë edhe disa detaje nga ditëlindja e saj. Ajo ka shuar çdo kureshtje të kujtdo lidhur me moshën e saj të vërtetë, si dhe tregon  për angazhimet e saj në politikë dhe muzikë. Pas suksesit të “Mas miri”, ajo do të sjellë një këngë solo.

Si lindi ideja për bashkëpunim me reperin nga Kosova?

Ne kemi qenë në një tavolinë, duke pirë një kafe shumë miqësore dhe flasim rreth këngëve, unë i tregoj rreth projekteve të mia dhe ai më tregon me se po merrej, për çfarë po punonte aktualisht e të tjera. Në një moment, Goldi më thotë “bëjmë diçka të bukur bashkë”? Patjetër i them, pse jo, kam një material shumë të bukur gati nga Gramoz Kozeli dhe De Vox. I tregoj një material demo të këngës dhe i thashë ta dëgjonte njëherë dhe nëse i pëlqente të bënim diçka të bukur bashkë. AG e dëgjoi, i pëlqeu dhe pas 2-3 ditësh filluam nga puna. Ai u përpoq me shumë përkushtim për të realizuar tekstin, më pas një ekip i tërë që na ndiqte si për regjistrimin e këngës audio ashtu edhe asaj video. Kështu filloi.

A njiheshe më herët me këngëtarin Gold AG?

Njiheshim nga ekrani, po nuk ishim takuar. Në Tiranë jemi takuar, madje jemi takuar tek dasma e Sinanit se qëlluam bashkë aty me Gentën, Leonorën dhe shumë të tjerë dhe aty u njohëm nga afër se nuk na kishte rënë ndonjëherë rasti.

Pse ke zgjedhur të këndosh në dialektin kosovar?

Në fakt, ne nuk e kemi bërë për trend, por meqenëse teksti u shkrua prej Arjanit (Gold AG), ai ashtu shkruan dhe mua më pëlqeu, sepse edhe kënga e tillë është, ka rrahje të shpejta edhe donte fjalë shumë të shkurtra, gjë që shkonte më tepër me dialektin kosovar. Mua kjo gjë më pëlqeu dhe e lamë ashtu, por që nuk ishte se e nisëm me qëllim që ta bëjmë kështu sepse është trend.

Klipi është xhiruar në Shqipëri apo Kosovë?

Klipi është xhiruar në Tiranë në ambiente të ndryshme. “Max Production” është marrë me të gjitha detajet për realizimin e tij dhe i kemi mbyllur xhirimet brenda një ditë.

Vjen shumë ndryshe në këtë klip sa i përket pamjes fizike. Kush është kujdesur për look-un tuaj?

Në këtë klip është kujdesur Elona Balaj për make-up dhe “American Fashion” për gjithë veshjet e mia. Këto janë ato heroinat e grupit. Besoj që dukem mirë, të paktën edhe nga komentet që kam marrë kam dalë mirë.

Po për sa i përket formës formave fizike, cila është mënyra e përkujdesjes, dieta apo palestra?

Unë nuk kam qenë asnjëherë e dobët në jetën time. Ndoshta mund të jetë edhe pak gjenetike sepse të dy prindërit i kemi të gjatë, të bëshëm, por mundohem që të kujdesem. Bëj çdo ditë palestër, përjashtuar rastet kur jam jashtë me koncerte dhe e kam të pamundur. Dal, bëj 20 minuta vrap, bëj palestër, kujdesem në një mënyrë apo një tjetër. Po të filloj të ha shëndoshem si mos më keq, por unë nuk ha. (Qesh)/Shekulli.Com.Al/