Sunday, August 18

Ndryshon “Playboy”, nuk ka më femra nudo në revistë

Ndryshon “Playboy”, nuk ka më femra nudo në revistë

Duket e çuditshme, por revista e famshme erotike “Playboy”, nuk do të publikojë më imazhe të femrave të zhveshura. “Nju Jork Times” raporton se pronarët e saj thonë se interneti ka bërë që lakuriqësia të dale jashtë modës, dhe revistat pornografike nuk kanë më të njëjtin sukses në treg.

Shitjet e “Playboy”-t kanë rënë ndjeshëm, nga 5.6 milion në vitet ‘70-të në rreth 800 mijë, në ditët e sotme. Gjithsesi revista do të vazhdojë të përfshijë fotografi të femrave në poza provokuese, edhe pse asnjëra prej tyre nuk do të jetë totalisht e zhveshur.

Vendimi u morr muajin e kaluar, gjatë një takimi ku ishte i pranishëm edhe themeluesi i “Playboy” dhe kryeredaktori aktual, Hugh Hefner. Sipas Nju Jork Times, drejtuesit e revistës se krijuar në 1953-shin, thonë së ndryshimet ishin të nevojshme duke konsideruar rrethanat. “Kur çdo akt i imagjinueshëm seksual është vetëm një klikim larg, kjo kthehet në një praktike të vjetëruar” -tha Skot Flanders, shefi ekzekutiv i “Playboy”.

I përkasin gjithashtu të kaluarës edhe ditët kur intervistat me figura të tilla si Martin Luter King Junior, Malkom X dhe Jimmy Carter e bënë “Playboi”-n mjaft të rëndësishëm nga pikëpamja kulturore dhe politike. Faqja në internet e revistës ka hequr tashmë fotot nudo, pjesërisht për të siguruar aksesin në mediat sociale, të tilla si Facebook apo Twitter, çka ka sjellë edhe rritjen e popullaritetit të tij.

/ Top Channel